Pyetjet e Hapura dhe Pyetjet e Mbyllura
Në komunikimin e përditshëm me fëmijët, mënyra se si u bëjmë pyetje ka një ndikim të madh në zhvillimin e gjuhës, të menduarit kritik dhe të aftësive sociale. Dy forma të zakonshme janë pyetjet e hapura dhe pyetjet e mbyllura. Por, çfarë janë ato dhe pse ka rëndësi t’i përdorim në mënyrën e duhur?
Çfarë janë Pyetjet e Hapura?
Pyetjet e hapura janë ato pyetje të cilat nuk mund të marrin përgjigje vetëm me “po” ose “jo”. Ato e nxisin fëmijën të shprehi idetë, të mendojë më shumë, të shpjegojë më gjatë dhe të përdorë fjalë të reja.
Shembuj:
- “Çfarë të pëlqeu më shumë sot në kopsht?”
- “Si e ndërtove këtë kullë me kuba?”
- “Pse mendon se u mërzit shoku yt?”
Përfitimet:
- Përmirëson aftësitë gjuhësore.
- Nxisin të menduarit kritik, kreativitetin dhe imagjinatën.
- Ndihmojnë fëmijën të shprehë ndjenjat e mendimet në mënyrë të detajuar.
- Zhvillon aftësitë sociale, angazhimin dhe pjesëmarrjen
Çfarë janë Pyetjet e Mbyllura?
Pyetjet e mbyllura zakonisht marrin përgjigje të shkurtra, si “po”, “jo” ose një fjalë të vetme, kërkojnë mendim minimal dhe shpesh çojnë në ndërveprim të kufizuar.
Shembuj:
- “E mbarove ushqimin?”
- “Do të luash me top?”
- “A ishte ftohtë sot?”
Kur përdoren:
- Për të marrë informacion të shpejtë, të shkurtër ose specifik.
- Në situata në të cilat fëmija është i lodhur ose i tërhequr nga biseda.

Pse Pyetjet e Hapura Janë të Rëndësishme për Zhvillimin e Fëmijës?
Studimet tregojnë se fëmijët që rriten në mjedise ku u bëhen më shumë pyetje të hapura:
- Përdorin fjali më të gjata dhe më të pasura.
- Kanë aftësi më të mira për të rrëfyer ngjarje.
- Shfaqin vetëbesim më të madh në komunikim.
Kjo ndodh sepse pyetjet e hapura kërkojnë më shumë mendim, zgjedhje fjalësh dhe shpjegime, duke aktivizuar zona të ndryshme të trurit.
Si t’i Përdorim në Përditshmëri?
- Zëvendësoni pyetjet që kanë si përgjigje “po/jo” me pyetje më të zgjeruara.
Në vend të “A u kënaqe sot?”, mund të pyesni “Cila ishte pjesa më e bukur e ditës tënde?”. - Përdorni gjuhë të qartë dhe të thjeshtë. Në vend që të pyesni: “Cilat janë mendimet tuaja për ndodhitë e këtij libri?”, mund të thoni: “Çfarë mendoni për këtë tregim?”
- Lini hapësirë për përgjigje. Bëj pyetjen tënde, pastaj numëro deri në dhjetë që fëmija të përgjigjet. Mos e ndërprisni fëmijën edhe nëse përgjigjet ngadalë.
- Tregoni interes për përgjigjet e tij. Përgjigjuni: “Oh, sa interesante! A mund të më tregosh më shumë për këtë?”
Shembuj të Pyetjeve të Hapura
- “Çfarë të pëlqeu më shumë sot?”
- “A mund të më tregosh pjesën tënde të preferuar të ditës?”
- “Çfarë do të bëje nëse do të mund të fluturoje?”
- “Cfare të bën të lumtur?”
- “Si mendon se rriten bimët?”
- “Çfarë do të bëje nëse do të humbisje lodrën tënde të preferuar?”
- “Si mund ta bëjmë këtë kullë më të lartë?”
- “Çfarë loje të pëlqen të luash me shokët e tu?”
- “Cili libër me përralla është i preferuari yt dhe pse?”
- “A mund të më tregosh për udhëtimin tënd në kopshtin zoologjik?”
- “Çfarë mësove sot që nuk e dije më parë?”
- “Si mendon se do të përfundojë kjo histori?”
- “Si do të ishte të jetoje në një kështjellë?”
- “Pse mendon se ndodhi kështu?”
- “Si do të ndryshonte historia nëse fundi do të ishte ndryshe?”
POR…
Edhe pse pyetjet e hapura janë shumë të vlefshme, pyetjet e mbyllura nuk duhen shmangur plotësisht. Ato ndihmojnë në marrjen e informacionit të shpejtë ose kur fëmija ka nevojë për qartësi. Çelësi është të përdorim më shpesh pyetje të hapura për të nxitur zhvillimin e gjuhës dhe mendimit.