10 mënyra se si një logoped mund të ndihmojë fëmijën tuaj
Logopedët ofrojnë një gamë të gjerë shërbimesh, kryesisht mbi baza individuale, por edhe si mbështetje për individët, familjet, grupet mbështetëse dhe sigurimin e informacionit për publikun e gjerë. Më poshtë do të gjeni se si një logoped mund të ndihmojë fëmijën tuaj në mënyra të ndryshme.
1.Artikulimi dhe kuptueshmëria e të folurit
Artikulimi është aftësia fizike për të lëvizur gjuhën, buzët, nofullën dhe qiellzën për të prodhuar tinguj individualë të të folurit që ne i quajmë fonema.
Kuptueshmëria i referohet sa mirë dhe qartë mundet që njerëzit të kuptojnë të folurin e fëmijës suaj. Nëse fëmija juaj shfaq vështirësi në artikulim për ndonjë arsye, kuptueshmëria e tij do të ulet në krahasim me fëmijët e tjerë të moshës së tij. Logopedët mund të punojnë me fëmijën tuaj për t’i mësuar atij se si të prodhojë tingujë specifikë të të folurit ose modele tingujsh me të cilat ai ka vështirësi, duke rritur kështu kuptueshmërinë e tij të të folurit.
2. Aftësitë e gjuhës së shprehur
Ndërsa të folurit përfshin aftësinë motorike fizike për të folur, gjuha është një sistem simbolik, me rregulla të përcaktuara, i përdorur për të përcjellë një mesazh. Simbolet mund të jenë fjalë të folura ose të shkruara. Ne kemi gjithashtu simbole në formë gjestesh si ngritja e shpatullave për të thënë “nuk e di” ose tundja e dorës për të thënë “paçim”. Gjuha shprehëse pra i referohet asaj që thotë fëmija juaj. Logopedët mund ta ndihmojnë fëmijën tuaj të mësojë fjalë të reja dhe si t’i bashkojë ato për të formuar fraza dhe fjali (semantikë dhe sintaksë) në mënyrë që fëmija juaj të komunikojë me ju dhe të tjerët.
3. Aftësitë e gjuhës receptive/ aftësimit e dëgjimit
Gjuha receptive i referohet aftësisë së fëmijës tuaj për të dëgjuar dhe kuptuar gjuhën. Shpesh, fëmijët e vegjël kanë aftësi më të mira të gjuhës receptive (ajo që kuptojnë) sesa aftësi gjuhësore shprehëse (çfarë mund të thonë). Një logoped mund t’ju ndihmojë t’i mësoni fëmijës tuaj fjalor të ri dhe si ta përdorë atë njohuri për të ndjekur udhëzimet, për t’iu përgjigjur pyetjeve dhe për të marrë pjesë në biseda të thjeshta me të tjerët.
4. Rrjedhshmëria e të folurit/Belbëzimi
Belbëzimi është një çrregullim komunikimi që ndikon në rrjedhshmërinë e të folurit. Karakterizohet nga ndërprerje në rrjedhën e të folurit të referuara si disfluencë dhe zakonisht fillon në fëmijëri. Të gjithë fëmijët përjetojnë disfluencë në të folur. Disa disfluenca janë krejtësisht normale, por pasi vazhdon për një kohë të gjatë mund të ndikojë ndjeshëm në aftësinë e dikujt për të komunikuar. Gjatë belbëzimit, ne vëmë re: përsëritje, zgjatje, ndërthurje dhe bllokime të tingujve, rrokjeve apo fjalëve të cilat i quajmë sjellje parësore. Mund të shohim edhe sjellje dytësore, si tension në qafë, shpatulla, fytyrë, nofull, gjoks; përpëlitje të syve, lëvizje e hundës, lëvizje të tjera të pazakonta të mimikës; shtrëngim i duarve si grusht etj,. Logopedët mund t’i mësojnë fëmijës tuaj strategji se si të kontrollojnë këto sjellje dhe kështu të rrisë rrjedhshmërinë dhe kuptueshmërinë e të folurit.
5. Zëri dhe rezonanca
Çrregullimet e zërit i referohen çrregullimeve që ndikojnë në kordat vokale që na lejojnë të kemi një zë. Këto mund të përfshijnë paralizën e kordave vokale, nodujt ose polipet në kordat vokale dhe çrregullime të tjera që mund të shkaktojnë ngjirje të zërit ose afoni (humbje totale të zërit). Rezonanca i referohet “cilësisë së zërit që përcaktohet nga ekuilibri i dridhjeve të tingujve në kavitetin e gojës, hundës dhe faringut gjatë të folurit. Rezonanca jonormale mund të ndodhë nëse ka pengim në njërin nga kavitetet, duke shkaktuar hiponazalitet ose rezonancën cul-de-sac, ose nëse ka mosfunksionim velofaringeal (VPD), që shkakton hipernazalitet dhe/ose emetim nazal”. Një çrregullim i zakonshëm i zërit tek fëmijët e vegjël është ngjirja e zërit e shkaktuar nga abuzimi i zërit. Abuzimi me zërin i referohet zakoneve të këqija që çojnë në tendosje ose dëmtim të kordave të zërit si të bërtiturat, të folurit e tepërt, kollitja, pastrimi i fytit, etj. Logopedët me përvojë në çrregullimet e zërit dhe rezonancës mund të punojnë me fëmijët për të ulur këto sjellje dhe të riparojnë sforcimin/dëmtimin e kordave.
6. Pragmatika/ gjuha sociale
Gjuha sociale/pragmatika i referohet mënyrës se si një individ përdor gjuhën për të komunikuar me të tjerët dhe kjo përfshin tre aftësi kryesore të komunikimit: përdorimin e gjuhës për të komunikuar në mënyra të ndryshme (si përshëndetja, kërkesa, refuzimi, bërja e pyetjeve për të marrë informacion, etj.), përshtatja e gjuhës sipas njerëzve apo vendit ku ndodhemi (d.m.th. ne flasim ndryshe me një fëmijë dhe ndryshe me një të rritur), dhe duke ndjekur rregullat e gjuhës në bisedë (mbajtja e radhës në bisedë, qëndrimi në temë, përdorimi dhe të kuptuarit e sinjaleve verbale dhe joverbale, etj). Logopedët mund të punojnë me fëmijën tuaj për t’i mësuar atyre këto aftësi gjuhësore sociale, në mënyrë që ata të mund të marrin pjesë në biseda në mënyrë më të përshtatshme.
7. Aftësitë konjitive-komunikuese
Çrregullimet konjitive të komunikimit i referohen dëmtimit të proceseve njohëse duke përfshirë vëmendjen, kujtesën, arsyetimin abstrakt, ndërgjegjësimin dhe funksionet ekzekutive (vetë-monitorimi, planifikimi dhe zgjidhja e problemeve). Këto mund të jenë me natyrë zhvillimore (që do të thotë se çrregullimi është i lindur) ose mund të fitohen për shkak të një dëmtimi në kokë, goditje në tru ose sëmundje degjenerative. Logopedët mund të punojnë me fëmijën tuaj për të ndihmuar në ndërtimin e këtyre aftësive dhe/ose t’i mësojnë fëmijës tuaj metoda kompensuese për t’i ndihmuar ata me çrregullimin e tyre.
8. Komunikimi Augmentativ dhe Alternativ (AAC)
Komunikimi Augmentativ dhe Alternativ, i njohur gjithashtu thjesht si AAC, i referohet të gjitha formave të komunikimit (përveç fjalëve verbale) që përdoren për të shprehur mendimet, nevojat, dëshirat dhe idetë. Ne të gjithë përdorim AAC kur bëjmë shprehje të fytyrës ose gjeste, përdorim simbole ose figura, ose shkruajmë”. Kur logopedët punojnë me fëmijët, qëllimi ynë numër një është gjithmonë komunikimi. Ndonjëherë, një fëmijë mund të ketë një vonesë/çrregullim prej të cilit nuk mund të zhvillojë gjuhën verbale. Në këto rrethana, një logoped mund të punojë me fëmijën dhe familjen e tij për të krijuar një sistem AAC për t’u përdorur në vend të të folurit dhe/ose bashkë me të folurin. Është shumë e rëndësishme të theksohet se këto metoda të AAC nuk përdoren gjithmonë për të zëvendësuar të folurin. Në shumë rrethana, AAC përdoret si një urë lidhëse me të folurin. Fëmijët mund të përdorin metodat AAC për të komunikuar ndërkohë që ende punojnë në zhvillimin e aftësive të të folurit (kur është e përshtatshme).
9. Çështjet e gëlltitjes/të ushqyerit
Logopedët mund të trajtojnë vështirësitë në gëlltitje dhe ushqyerje, përveç problemeve të të folurit dhe gjuhës. Kjo ndodh sepse, ata kanë njohuri për strukturat dhe funksionet e kaviteteve orale dhe më gjerë. Gjithashtu, logopedët mund të trajtojnë fëmijët që kanë vështirësi miofunksionale.
10. Edukimi dhe fuqizimi JUAJ se si ta ndihmoni më së miri fëmijën tuaj.
Gjëja më e mirë që një logoped mund të bëjë për fëmijën tuaj, është t’ju edukojë dhe t’ju fuqizojë se si ta ndihmoni më mirë fëmijën tuaj. Një logoped mund të kalojë një orë në javë ose më shumë me fëmijën tuaj, por ju kaloni shumë më shumë orë në javë duke ndërvepruar me fëmijën tuaj. Ju e zgjoni fëmijën tuaj, e bëni gati për ditën e tij, i lexoni, flisni me të, e lani dhe e vendosni të flejë. Është gjatë këtyre rutinave të përditshme që fëmija juaj mëson më shumë dhe i jepen më shumë mundësi për të komunikuar. Kur të jeni të pajisur me njohuritë, aftësitë dhe besimin JU mund të jeni “logopedi” më i mirë që do të ketë ndonjëherë fëmija juaj. Kështu që bëni pyetje, mbani shënime, bëni detyrat e shtëpisë dhe punoni ngushtë me logopedin e fëmijës suaj. Së bashku mund të bëni një ekip të mrekullueshëm.