Çfarë është ADHD te fëmijët?

ADHD është një nga çrregullimet neurozhvillimore më të zakonshme të fëmijërisë. Zakonisht diagnostikohet në fëmijëri dhe shpesh zgjat deri në moshën madhore. Fëmijët me ADHD mund të kenë vështirësi me përqëndrimin, vështirësi  për të kontrolluar sjelljet impulsive (mund të veprojnë pa menduar se cili do të jetë rezultati) ose mund të jenë më tepër aktiv.

Kriteret e diagnostikimit përfshijnë:

– Prani e përhershme e mungesës së vëmendjes, e hiperaktivitetit, impulsivitetit të cilat pengojnë funksionimin dhe zhvillimin e fëmijës. Fëmija manifeston:

1. Mungesë të vëmendjes (6 nga shenjat e mëposhtme duhet të jenë të pranishme për, të paktën, 6 muaj):

i. Nuk arrin të përqëndrohet (bën gabime nga pavëmendja në detyra)
ii. Nuk e ruan vëmendjen në detyrë ose lojë
iii. Nuk dëgjon kur i drejtohen atij/asaj drejtpërdrejt
iv. Nuk ndjek dot udhëzimet
v. Nuk i mbaron dot detyrat, (shpesh fokusohet në gjëra të parëndësishme)
vi. Ka vështirësi në organizimin për të kryer detyrat/veprimtaritë
vii. Shmanget nga detyra dhe veprimtari që kërkojnë shumë përpjekje fizike dhe mendore
viii. Humbet gjërat e tij/saj
ix. Tërhiqet lehtësisht nga stimujt e jashtëm

2. Prania e hiperaktivitetit dhe impulsivitetit (6 nga shenjat e mëposhtme duhet të kenë qenë të pranishme, të paktën, për 6 muaj):


i. Lëviz gjymtyrët pa qëllim
ii. Lëviz në vend pa pushim
iii. Ngrihet nga vendi i punës pa ndonjë qëllim
iv. Vrapon, në vend që të ecë
v. Nuk arrin të luajë në qetësi një lojë deri në fund
vi. Është gjithmonë në lëvizje
vii. Flet shumë
viii.E jep përgjigjen pa dëgjuar pyetjen
ix. Ka vështirësi të presë radhën
x. Ndërpret të tjerët.

Shkaqet e ADHD

Shkencëtarët po studiojnë shkaqet dhe faktorët e rrezikut në një përpjekje për të gjetur mënyra më të mira për të menaxhuar dhe zvogëluar shanset që një person të ketë ADHD. Shkaku/shkaqet dhe faktorët e rrezikut për ADHD janë të panjohura, por hulumtimet aktuale tregojnë se gjenetika luan një rol të rëndësishëm. Studimet e fundit lidhin faktorët gjenetikë me ADHD.

Përveç gjenetikës, shkencëtarët po studiojnë shkaqe të tjera të mundshme dhe faktorë rreziku, duke përfshirë:

  • Dëmtim truri
  • Ekspozimi ndaj rreziqeve mjedisore (p.sh. plumbi) gjatë shtatzënisë ose në moshë të re
  • Përdorimi i alkoolit dhe duhanit gjatë shtatzënisë
  • Lindja e parakohshme
  • Pesha e ulët e lindjes

Hulumtimet nuk mbështesin pikëpamjet e përhapura se ADHD shkaktohet nga ngrënia e tepërt e sheqerit, shikimi i tepërt i televizorit, prindërimi ose faktorë social dhe mjedisor si varfëria ose kaosi familjar. Sigurisht, shumë gjëra, duke përfshirë këto, mund t’i përkeqësojnë simptomat, veçanërisht në njerëz të caktuar. Por provat nuk janë mjaftueshëm të forta për të arritur në përfundimin se ato janë shkaktarët kryesorë të ADHD.

Trajtimet

Në shumicën e rasteve, ADHD trajtohet më së miri me një kombinim të terapisë së sjelljes dhe medikamenteve. Për fëmijët e moshës parashkollore (4-5 vjeç) me ADHD, terapia e sjelljes, veçanërisht trajnimi për prindërit, rekomandohet si linja e parë e trajtimit përpara se të provohet mjekimi. Ajo që funksionon më mirë mund të varet nga fëmija dhe familja. Planet e mira të trajtimit do të përfshijnë monitorim nga afër, ndjekje dhe bërjen e ndryshimeve, nëse është e nevojshme, gjatë rrugës.

Online