Prindërimi pozitiv te foshnjat 0-1 vjeç

Gurët e zhvillimit

Aftësi të tilla si hedhja e hapit të parë, buzëqeshja për herë të parë dhe të bërit paçim quhen gurë të zhvillimit të fëmijës. Gurët e zhvillimit janë gjëra që shumica e fëmijëve mund t’i bëjnë deri në një moshë të caktuar. Fëmijët i arrijnë këta gurë në mënyrën se si luajnë, mësojnë, flasin, sillen dhe lëvizin (si zvarritja, ecja).

Në vitin e parë, foshnjat mësojnë të përqëndrojnë shikimin e tyre, të eksplorojnë dhe të mësojnë për gjërat që i rrethojnë. Zhvillimi konjitiv ose i trurit nënkupton procesin e të mësuarit të kujtesës, gjuhës, të menduarit dhe arsyetimit. Të mësuarit e gjuhës është më shumë se të bësh tinguj (“belbëzim”), apo të thuash “ma-ma” dhe “da-da”. Dëgjimi, të kuptuarit dhe njohja e emrave të njerëzve dhe sendeve janë të gjitha pjesë e zhvillimit të gjuhës. Gjatë kësaj faze, foshnjat gjithashtu zhvillojnë lidhje dashurie dhe besimi me prindërit e tyre dhe të tjerët si pjesë e zhvillimit social dhe emocional. Mënyra se si prindërit përqafojnë, mbajnë dhe luajnë me fëmijën e tyre do të vendosë bazën për mënyrën se si ata do të ndërveprojnë me ta dhe me të tjerët.

Këshilla për një prindërim pozitiv

Më poshtë janë disa gjëra që ju si prind mund të bëni për të ndihmuar fëmijën tuaj gjatë kësaj kohe:

  • Flitini fëmijës tuaj. Ai/ajo do ta gjejë zërin tuaj qetësues.
  • Përgjigjuni kur fëmija juaj bën tinguj duke përsëritur tingujt dhe duke shtuar fjalë. Kjo do ta ndihmojë atë të mësojë të përdorë gjuhën.
  • Lexojini fëmijës tuaj. Kjo do ta ndihmojë atë të zhvillojë dhe të kuptojë gjuhën dhe tingujt.
  • Këndojini fëmijës tuaj dhe vendosni muzikë. Kjo do ta ndihmojë fëmijën tuaj të zhvillojë një dëshirë për muzikën dhe do të ndihmojë zhvillimin e trurit të tij.
  • Lavdërojeni fëmijën tuaj dhe kushtojini atij/asaj shumë vëmendje.
  • Kaloni kohë duke e përqafuar fëmijën tuaj. Kjo do ta ndihmojë atë të ndihet i kujdesshëm dhe i sigurt.
  • Luani me fëmijën tuaj kur është i vëmendshëm dhe i relaksuar. Shikoni nga afër fëmijën tuaj për shenja lodhjeje ose bezdisjeje, në mënyrë që të bëjë një pushim nga loja.
  • Shpërqëndrojeni fëmijën tuaj me lodra dhe zhvendoseni në zona të sigurta kur ai fillon të lëvizë dhe të prekë gjëra që nuk duhet t’i prekë.
  • Kujdesuni për veten fizikisht, mendërisht dhe emocionalisht. Prindërimi mund të jetë punë e vështirë! Është më e lehtë të gëzosh fëmijën tënd dhe të jesh një prind pozitiv dhe i dashur kur ndihesh mirë vetë.

Siguria e fëmijës vjen e para

Kur një fëmijë bëhet pjesë e familjes suaj, është koha të siguroheni që shtëpia juaj të jetë një vend i sigurt. Shikoni përreth shtëpisë për gjëra që mund të jenë të rrezikshme për fëmijën tuaj. Si prind, është detyra juaj të siguroheni që të krijoni një shtëpi të sigurt për fëmijën tuaj. Është gjithashtu e rëndësishme që të ndërmerrni hapat e nevojshëm për t’u siguruar që jeni mendërisht dhe emocionalisht gati për fëmijën tuaj. Këtu janë disa këshilla për ta mbajtur fëmijën tuaj të sigurt:

  • Mos e tundni fëmijën tuaj – kurrë! Foshnjat kanë muskuj shumë të dobët të qafës që ende nuk janë në gjendje të mbështesin kokën e tyre. Nëse e tundni fëmijën tuaj, mund të dëmtoni trurin e tij ose madje t’i shkaktoni vdekjen.
  • Sigurohuni që gjithmonë ta vendosni fëmijën tuaj të flejë në shpinë për të parandaluar sindromën e vdekjes së papritur të foshnjave (i njohur zakonisht si SIDS).
  • Mbroni fëmijën dhe familjen tuaj nga tymi duke mos lejuar askënd të pijë duhan në shtëpinë tuaj.
  • Gjithmonë vendoseni fëmijën tuaj në një sexholino të përshtatshme për të kur udhëtoni me makinë, qoftë edhe për distanca të shkurtra.  
  • Parandaloni foshnjën tuaj nga mbytja duke e prerë ushqimin e tij në kafshata të vogla në format e rekomanduara për moshën e tij. Gjithashtu, mos e lini të luajë me lodra të vogla dhe gjëra të tjera që mund t’i ketë të lehta për t’i gëlltitur.
  • Mos e lejoni fëmijën tuaj të luajë me asgjë që mund të mbulojë fytyrën e tij.
  • Asnjëherë mos mbani lëngje ose ushqime të nxehta pranë foshnjës ose kur e mbani në krahë.
  • Vaksinat janë të rëndësishme për të mbrojtur shëndetin dhe sigurinë e fëmijës suaj. Për shkak se fëmijët mund të kenë sëmundje serioze, është e rëndësishme që fëmija juaj të marrë vaksinat e duhura në kohën e duhur. Bisedoni me mjekun e fëmijës suaj për t’u siguruar që fëmija juaj është i përditësuar me vaksinat e tij.

Trupa të shëndetshëm

  • Qumështi i gjirit plotëson të gjitha nevojat e foshnjës tuaj për rreth 6 muajt e parë të jetës. Midis moshës 6 dhe 12 muajsh, fëmija juaj do të mësojë për shijet dhe teksturat e reja me ushqim të ngurtë të shëndetshëm, por qumështi i gjirit duhet të jetë ende një burim i rëndësishëm ushqimi.
  • Ushqeni fëmijën tuaj ngadalë dhe me durim, inkurajoni fëmijën tuaj të provojë shije të reja, por pa forcë, dhe shikoni me vëmendje nëse është ende i uritur.
  • Mbajeni fëmijën tuaj aktiv. Ai/ajo mund të mos jetë ende në gjendje të vrapojë dhe të luajë si “fëmijët e mëdhenj”, por ka shumë gjëra që mund të bëjë për të mbajtur krahët dhe këmbët e vogla në lëvizje gjatë gjithë ditës. Të vendosurit në dysheme për të lëvizur e ndihmon fëmijën tuaj të bëhet i fortë, të mësojë dhe të eksplorojë.
  • Përpiquni të mos e mbani fëmijën tuaj në lisharëse, karroca, krevate lëkundës për një kohë të gjatë.
  • Kufizoni kohën para ekranit. Për fëmijët më të vegjël se 18 muajsh, Akademia Amerikane e Pediatrisë (AAP) rekomandon që është më mirë që foshnjat të mos përdorin asnjë ekran përveç bisedës me video.
  • Sigurohuni që fëmija juaj të flejë sasinë e rekomanduar të gjumit çdo natë.
Online