Prindërimi pozitiv te fëmijët e vegjël 1-2 vjeç

Gurët e zhvillimit

Aftësi të tilla si hedhja e hapit të parë, buzëqeshja për herë të parë dhe të bërit paçim quhen gurë të zhvillimit të fëmijës. Gurët e zhvillimit janë gjëra që shumica e fëmijëve mund t’i bëjnë deri në një moshë të caktuar. Fëmijët i arrijnë këta gurë në mënyrën se si luajnë, mësojnë, flasin, sillen dhe lëvizin (si zvarritja, ecja).

Gjatë vitit të dytë, të vegjlit lëvizin më shumë dhe janë të vetëdijshëm për veten dhe mjedisin përreth. Dëshira e tyre për të eksploruar objekte dhe njerëz të rinj gjithashtu rritet. Gjatë kësaj faze, fëmijët e vegjël do të tregojnë pavarësi më të madhe; fillojnë të tregojnë sjellje sfiduese; njohin veten në foto ose në pasqyrë; dhe imitojnë sjelljen e të tjerëve, veçanërisht të rriturve dhe fëmijëve më të mëdhenj. Fëmijët e vegjël gjithashtu duhet të jenë në gjendje të njohin emrat e njerëzve dhe objekteve të njohura, të formojnë fraza dhe fjali të thjeshta dhe të ndjekin udhëzime të thjeshta.

Këshilla pozitive për prindërimin

Më poshtë janë disa nga gjërat që ju si prind mund të bëni për të ndihmuar vogëlushin tuaj gjatë kësaj kohe:

  • Lexojini fëmijës tuaj çdo ditë.
  • Kërkojini të gjejë objekte për ju ose të emërtojë pjesë dhe objekte të trupit.
  • Luani lojëra që përputhen me vogëlushin tuaj, si kutia e formave dhe puzzle të thjeshtë.
  • Nxiteni atë të eksplorojë dhe të provojë gjëra të reja.
  • Ndihmoni të zhvilloni të folurin e vogëlushit tuaj duke folur me të dhe duke shtuar fjalët që thotë. Për shembull, nëse fëmija juaj thotë “kuka”, ju mund të përgjigjeni: “Po, bravo, kjo është kukulla”.
  • Inkurajoni fëmijën tuaj të rrisë pavarësinë duke e lënë atë të ndihmojë në veshjen dhe ushqyerjen e tij.
  • Përgjigjuni dhe përforconi sjelljet e dëshiruara më shumë sesa të ndëshkoni sjelljet e padëshiruara. Gjithmonë tregojini fëmijës tuaj se çfarë duhet të bëjë në vend të asaj që nuk duhet të bëjë..
  • Inkurajoni kureshtjen dhe aftësinë e vogëlushit tuaj për të njohur objektet e zakonshme duke bërë së bashku udhëtime në parqe dhe vende të ndryshme.

Siguria e fëmijës vjen e para

Për shkak se fëmija juaj lëviz më shumë në këtë moshë, ai do të hasë edhe më shumë rreziqe. Situatat e rrezikshme mund të ndodhin shpejt, ndaj duhet të jeni shumë të vëmendshëm. Këtu janë disa këshilla për t’ju ndihmuar të mbani të sigurt fëmijën tuaj:

  • MOS e lini fëmijën tuaj pranë vendeve me ujë (për shembull, vaska, pishina, pellgje, liqene, det) pa e parë dikush. Rrethojini pishinat e oborrit të shtëpisë. Mbytja është shkaku kryesor i lëndimeve dhe vdekjeve në këtë grupmoshë.
  • Blloko shkallët me një portë të vogël. Mbyllni dyert në vende të rrezikshme si garazhi ose bodrumi.
  • Sigurohuni që shtëpia juaj të jetë e mbrojtur duke vendosur mbulues prizash në të gjitha prizat elektrike të papërdorura.
  • Mbajini pajisjet e kuzhinës, hekurat dhe ngrohësit jashtë mundësive që vogëlushi juaj mund t’i kapë.
  • Mbajini objektet e mprehta si gërshërë, thika dhe stilolapsa në një vend të sigurt.
  • Kyçni ilaçet, pastruesit e shtëpisë dhe helmet.
  • MOS e lini fëmijën tuaj vetëm në asnjë automjet, qoftë edhe për disa çaste.
  • Gjithmonë vendoseni fëmijën tuaj në një sexholino të përshtatshme për të kur udhëtoni me makinë, qoftë edhe për distanca të shkurtra.  

Trupa të shëndetshëm

  • Jepini fëmijës tuaj ujë dhe qumësht në vend të pijeve me sheqer. Pas vitit të parë, kur fëmija juaj po ha më shumë ushqime të ngurta, qumështi i gjirit është ende një shtesë ideale në dietën e tij.
  • Fëmija juaj mund të bëjë naze në ushqyerje. Fëmijët e vegjël kanë nevojë për më pak ushqim sepse nuk rriten aq shpejt. Është më mirë të mos luftoni me të për këtë. Ofrojini një përzgjedhje të ushqimeve të shëndetshme dhe lëreni të zgjedhë atë që dëshiron. Vazhdoni të provoni ushqime të reja; mund t’i duhet kohë që të mësojë t’i pëlqejë ato.
  • Kufizoni kohën para ekranit dhe krijoni një plan të përdorimit të ekranit për familjen tuaj. Për fëmijët më të vegjël se 18 muajsh, AAP rekomandon që është më mirë që të vegjlit të mos përdorin asnjë ekran përveç bisedës me video.
  • Vogëlushi juaj do të duket sikur po lëviz vazhdimisht – duke vrapuar, duke shkelmuar, duke u ngjitur ose duke kërcyer. Lëreni të jetë aktiv – ai po zhvillon koordinimin e tij dhe po bëhet i fortë.
  • Sigurohuni që fëmija juaj të flejë sasinë e rekomanduar të gjumit çdo natë.
Online