nje prind dhe femija para ekraneve

Si ndikon koha para ekranit në zhvillimin e të folurit tek fëmijët?

Shumë faktorë ndikojnë në zhvillimin e gjuhës gjatë fëmijërisë. Çdo fëmijë është unik.
Megjithatë, thuajse çdo logoped do t’ju thotë të mos e ekspozoni fëmijën ndaj ekraneve të paktën deri në moshën 3-vjeçare.

Shumë prej jush mund të mendoni menjëherë: “Unë kam parë televizor që i/e vogël dhe jam rritur shumë mirë.”
Por, ndikimi i televizorit nuk është i njëjtë me atë të telefonit apo tabletit. Edhe pse mund të jetë e vërtetë që “ju u rritët mirë”, kjo nuk garanton që fëmijët tuaj do të zhvillohen njësoj. Kjo ndodh sepse përmbajtja që ne konsumonim dikur është shumë ndryshe nga ajo që fëmijët shohin sot.

Në këtë artikull do të shqyrtojmë se si ekranet moderne po ndikojnë në vonesat në të folur, duke analizuar ndikimet negative që ato kanë në zhvillimin e përgjithshëm, zhvillimin fizik dhe sfidat unike që përjetojnë foshnjat dhe fëmijët e vegjël.

Ndikimi i kohës para ekranit tek fëmijët

Shumë argumentojnë se ekranet janë mjete të shkëlqyera edukimi. Por në të njëjtën kohë, ato mund të ndikojnë negativisht në zhvillimin e fëmijës.

Efektet negative përfshijnë:

-Më pak komunikim verbal
Ekranet janë pasive. Ato nuk nxisin komunikim dypalësh dhe nuk kërkojnë ndërveprim verbal. Zakonisht, ndërveprimi kufizohet në prekjen e ekranit. Mungesa e ndërveprimit verbal ul ekspozimin e fëmijës ndaj gjuhës së folur, duke penguar zhvillimin e gjuhës dhe aftësive komunikuese.

Ndërveprim i kufizuar shoqëror
Shpesh i vendosim fëmijës një telefon ose tablet në dorë që të mund të hamë të qetë. Por, kur kjo bëhet praktikë e përditshme, fëmija humbet mundësitë për të ndërvepruar me mjedisin. Komunikimi ballë për ballë është jetik për zhvillimin e gjuhës.
Në fëmijët më të rritur, ekspozimi ndaj rrjeteve sociale mund të sjellë rreziqe si bullizimi kibernetik dhe shqetësime të tjera emocionale.

Mungesë vëmendjeje ndaj mjedisit përreth
Fëmijët që hanë para ekranit shpesh nuk janë të vetëdijshëm për ndjesinë e urisë apo ngopjes. Ata mund të vazhdojnë të hanë vetëm sepse janë të zhytur në përmbajtje, ndërkohë që prindërit mendojnë se po “hanë mirë”.
Por në të vërtetë, ngrënia me vetëdije është ajo që përkufizon ushqimin e shëndetshëm.

Më pak kohë për lojë
Lojërat, sidomos loja e lirë, janë thelbësore për zhvillimin e të folurit. Ato ndihmojnë fëmijët të eksperimentojnë me fjalë, të shprehin mendime dhe të zhvillojnë imagjinatën.

Vonesë në të folur

Kur fëmija nuk arrin të përmbushë pritshmëritë për zhvillimin e gjuhës sipas moshës, flasim për vonesë në të folur. Edhe pse çdo fëmijë zhvillohet me ritmin e tij, është e rëndësishme të njohim sinjalet dhe të kërkojmë ndihmë në kohë.
Shumë prindër thonë:
“Fëmija im njeh shkronjat, frutat, ngjyrat… por nuk flet fjali.”
Por nëse fëmija do të thotë:
“Një rreth i verdhë.”
A do ta kuptoni se ka uri dhe kërkon ushqim?
Çfarë ndodh nëse thotë:
“Mami. Uri. Dua bukë.”
Ju do ta kuptoni menjëherë.
A do ta dëgjojë fëmija fjalën “bukë/ushqim” në Cocomelon apo Peppa Pig? Jo.
Por nëse e dëgjon nga ju në shtëpi, do ta mësojë dhe përdorë natyrshëm.

Probleme me gjumin
Fëmijët që përdorin shumë ekrane shpesh bëhen të shqetësuar, hiperaktivë dhe me gjumë të çrregullt. Drita blu që lëshojnë pajisjet pengon prodhimin e melatoninës – hormonit që rregullon gjumin.

Stili jetësor i ulur dhe lodhja e syve
Obeziteti, dhimbjet muskulare, tensioni i syve, miopia dhe lodhja janë shumë të shpeshta tek fëmijët që kalojnë kohë të gjatë para ekranit.ë shpeshta tek fëmijët që kalojnë kohë të gjatë para ekranit.

Ndikimi tek foshnjat dhe fëmijët e vegjël

-Mungesa e lidhjes prind-fëmijë
A e dini se, ju jeni burimi më i rëndësishëm i të mësuarit për fëmijën tuaj. Ekrani e dobëson këtë marrëdhënie të vlefshme.

Sjellje negative
Irritimi, vështirësia për të vetë-rregulluar emocionet dhe reagimet impulsive lidhen drejtpërdrejt me përdorimin e ekranit në vitet e hershme.

Pritshmëri jo reale
Si logopedë, ne gjithmonë do të rekomandojmë libra me imazhe dhe ilustrime reale. Një derrkuc që flet është një fantazi – diçka që nuk duhet të ekzistojë në botën e një fëmije të vogël. Pse, mund të pyesni? Sepse ata janë ende duke mësuar dhe përthithur botën përreth tyre. Karaktere si “Peppa Pig” apo “Blippi” ofrojnë botë imagjinare që nuk ndihmojnë fëmijën të kuptojë realitetin.

femije duke qendruar para ekraneve

Si mund t’i ndihmojnë prindërit fëmijët e tyre?

Nëse fëmija juaj është nën 3 vjeç, rekomandimi më i mirë është ta largoni plotësisht nga ekrani.
Kjo mund të kërkojë kohë dhe durim – mund të ketë të qara, irritim, por me strategjinë e duhur, është e realizueshme:

Sugjerime:

  • Merrni disa ditë pushim për t’u fokusuar te fëmija
  • Krijoni një kalendar aktivitetesh: vizatime, shëtitje, lexime, lojëra sensoriale
  • Dilni më shpesh në natyrë
  • Përdorni alternativa argëtuese: akullore, libra me ngjyrosje, ndihmë në kuzhinë
  • Përfshijeni në aktivitete të përditshme: palosja e rrobave, shtrimi i tavolinës, etj.

Udhëzime për kohën para ekranit (AAP):

  • Nën 18 muaj: Jo ekrane, përveç video-telefonatave.
  • 18-24 muaj: Përmbajtje cilësore, gjithmonë me prindin përkrah duke shpjeguar çfarë po shikoni.
  • 2-5 vjeç: Maksimumi 1 orë në ditë, përmbajtje edukative + shpjegime nga prindërit për atë që po shikoni.
  • 6+ vjeç: Vendosni kufij të qartë mbi kohën e shpenzuar në ekrane (deri në 2 orë në ditë është më mirë); sigurohuni që ekranet nuk ndikojnë në cilësinë e gjumit apo aktivitete të tjera të shëndetshme.

Këshilla të tjera:

  • Vendosni alarme ose orare të rregullta.
  • Krijoni zona në shtëpi pa ekrane (“kjo dhomë është pa telefon”, “në tavolinën e ngrënies nuk lejohet telefoni”).
  • Luani me fëmijën, lexoni, dilni jashtë.
  • Mos i kërkoni fëmijës të heqë dorë nga ekranet, nëse vetë ju prindërit vazhdoni t’i përdorni.

Roli i Terapisë në ‘Fëmija dhe logopedi’

Në klinikën ‘Fëmija dhe logopedi’, terapia e të folurit është e përqëndruar në përmirësimin e aftësive komunikuese të fëmijëve – përfshirë qartësinë e të folurit, zhvillimin e gjuhës dhe komunikimit. Ne përdorim teknika të personalizuara për të ndihmuar fëmijët të përmirësojnë të folurën, të fitojnë vetëbesim dhe të zhvillojnë gjuhën në mënyrë gjithëpërfshirëse.

Nëse jeni të shqetësuar që fëmija juaj nuk po arrin fazat e zhvillimit të të folurit, ju inkurajojmë të konsultoheni me një logoped sa më parë.

WhatsApp: +355 69 977 0441

Online