Imitimi te fëmijët dhe rëndësia e tij.
Çfarë është imitimi?
Imitimi përfshin aftësinë e një fëmije për të kopjuar të tjerët nëpërmjet:
-veprimeve me objekte (të tilla si shtytja e një makine)
-gjesteve dhe lëvizjeve të trupit (të tilla si duartrokitje)
-tingujve ose fjalëve
Në përgjithësi fëmijët mësojnë të imitojnë që në foshnjëri. Nëse shikoni një foshnjë dhe nënën e tij duke bashkëvepruar, ndodh që të shihni se si foshnja dhe nëna imitojnë tingujt, veprimet dhe shprehjet e fytyrës së njëri-tjetrit. Ky imitim është me të vërtetë një bisedë pa fjalë dhe i ndihmon foshnjat të mësojnë të:
1- shprehin interes social te kujdestari (prindi) i tyre (jo vetëm shprehjen e nevojave themelore si ushqimi ose gjumi)
2- ndajnë një emocion me kujdestarin e tyre
3- mësojnë radhën
4- i kushtojnë vëmendje kujdestarit të tyre
Pse imitimi ka rëndësi?
Imitimi ka rëndësi sepse i ndihmon fëmijët të mësojnë. Edhe në një moshë shumë të vogël, fëmijët imitojnë sjelljen e prindërve të tyre. Sjellja e prindërve dhe kujdestarit është e fuqishme për një fëmijë dhe lë mbresa në zhvillimin e mendjes së tyre. Fëmijët ruajnë në mendjen e tyre imazhe si pozitive ashtu edhe imazhe negative që mund të imitohen ose testohen në një kohë të mëvonshme.
Fëmijët e përdorin imitimin gjatë gjithë fëmijërisë së hershme për të pasur shkëmbime shoqërore me kujdestarët e tyre dhe për të mësuar gjëra të reja.
Foshnjat fillimisht imitojnë veprimet e kujdestarit të tyre me lodra dhe sende, dhe ata më pas vazhdojnë të imitojnë gjestet gjatë vitit të dytë të jetës.
Fëmijët e vegjël bashkëveprojnë duke kopjuar veprimet e njëri-tjetrit me lodra, dhe ky lloj imitimi rritet gjatë gjithë fëmijërisë së hershme.
Çfarë mund të bëjnë prindërit?
Me foshnjat, mos harroni se pothuajse çdo ndërveprim përfshin një mundësi për imitim.
Lëvizjet e ngadalta dhe të përsëritura i ndihmojnë foshnjat të marrin informacionie të reja. Për shembull, që një muajsh, nëse ju nxirrni gjuhën përpara foshnjës dhe prisni, shanset janë, foshnja do e nxjerr gjuhën njësoj.
-Bëni tinguj me gojën tuaj dhe fëmija juaj do të përpiqet të të kopjojë ty; mirë është gjithashtu nëse ju përsëritni tingujt që bën fëmija juaj.
-Përdorni muzikën: Këndoni këngë me fëmijën tuaj… një daulle lodër ose piano janë kënaqësi për t’u provuar nga një fëmijë.
-Trokitni mbi tryezën ose përplasni duart për të parë nëse fëmija ju kopjon juve.
-Vendosni krahët mbi kokën tuaj dhe thoni “Kaaaaq e madhe”. Një fëmijë pak më i madh ka mundësi të ngrejë krahët gjithashtu, megjithëse mund të duhen disa ditë që ai t’a kopjojë.
Fëmijët midis 12-36 muajsh mësojnë duke i bërë gjërat, jo vetëm duke parë.
-Tregojini fëmijës tuaj se si bëni detyra të thjeshta, siç është veshja e xhupit apo mbajtja e një lugë, dhe lëreni t’i provojë.
-Provoni aktivitete fizike: hidhu, kërce, kapërce dhe zvarritu. Fëmija juaj do të përpiqet gjithashtu.
-Angazhoni fëmijën tuaj në detyrat e përditshme shtëpiake (shtrimi i tryezës, palosjen e rrobave, rregullimin e lodrave). Fëmijët e vegjël duan të imitojnë prindërit e tyre dhe ndihmojnë.
-Ekspertët thonë se imitimi/ modelimi i prindërve është thelbësor për fëmijët për të zhvilluar aftësi të shëndetshme akademike. Nëse dëshironi që fëmija juaj t’ë bëhet lexues i mirë, le t’ju shohë juve duke lexuar shpesh në shtëpi.
-Modeloni sjelljen që dëshironi të shihni tek fëmija juaj. Thuaj të lutem dhe faleminderit. Fëmija juaj mund të mos e thotë menjëherë, por do e thotë me kalimin e kohës.
-Bëni rregullat tuaja që të përputhen me pritshmëritë dhe sjelljet tuaja. Nëse prisni që fëmija juaj të vendosë rrobat e tij të palara në kosh, ju duhet të bëni të njëjtën gjë me tuajat.
-Asnjë prind nuk është perfekt gjatë gjithë kohës. Nëse bëni ose thoni diçka të papërshtatshme që ju do dëshironit që fëmija mos t’a ketë parë ose dëgjuar, mos ngurroni dhe shpjegojani fëmijës arsyen e veprimit tuaj.
-Shpjegojini fëmijës tuaj se si disa gjëra janë të përshtatshme në një vend por janë të papërshtatshme në një vend tjetër. Për shembull, zërat e lartë janë në rregull në park, por jo në bibliotekë. Shpjegojuni pse.