Si ta Përgatisni Fëmijën që të Përfitojë Maksimalisht nga Terapia Logopedike — 7 Këshilla

Koha e leximit: 4 minuta

Fëmija juaj sapo është diagnostikuar dhe jeni në hapat e parë të terapisë logopedike apo aktualisht fëmija është në terapi logopedike?
Këtu gjeni 7 këshilla të vlefshme për ta bërë këtë proces sa më efektiv dhe të suksesshëm:

1. Zgjidhni me kujdes ditën dhe orarin e terapisë.

Çdo fëmijë ka ritmin e tij. Nëse fëmija juaj është më i lodhur ose i shqetësuar në një moment të caktuar të ditës apo javës, shmangni këto orare. Zgjidhni kohën kur fëmija është më energjik, ka pushuar dhe i gatshëm për të bashkëpunuar.

2. Prezantoni terapistin me interesat e fëmijës.

Sillni një lodër ose libër të preferuar në seancat e para. Shumica e terapistëve përdorin këto seanca fillestare për të ndërtuar marrëdhënien me fëmijën dhe për të krijuar një hapësirë të sigurt. Ky veprim i thjeshtë ndihmon në krijimin e një lidhjeje pozitive me terapistin dhe lehtëson ndjeshëm ndarjen fillestare nga prindi.

3. Përgatituni për vështirësi në ndarjen nga ju dhe qëndroni të qetë— mos u përfshini emocionalisht.

Disa fëmijë mund të hyjnë menjëherë në dhomën e terapisë pa problem, por shumë të tjerë mund të jenë shumë të lidhur me prindin dhe të refuzojnë të ndahen. Nëse terapisti vlerëson që është më mirë që prindi të mos jetë i pranishëm në dhomë, është shumë e rëndësishme që ju si prind të tregoni qëndrueshmëri dhe qetësi. Sigurojeni fëmijën që jeni pranë në dhomën e pritjes dhe mos ndryshoni qëndrim nëse fëmija qan. Me kalimin e kohës, fëmija do mësohet me këtë rutinë dhe do të jetë më i gatshëm të përfshihet në mënyrë aktive në terapi.

4. Bëni pyetje, kërkoni informacione dhe përfshihuni.

Terapia është një proces bashkëpunues. Pyesni rregullisht terapistin:

  • Si shkoi seanca?
  • Cilat janë objektivat aktual?
  • Çfarë mund të bëni në shtëpi për ta ndihmuar fëmijën?

Një komunikim i vazhdueshëm me terapistin është thelbësor për suksesin e fëmijës. Nëse nuk jeni të pranishëm në çdo seancë dhe/ose nëse nuk jeni ju që e çoni fëmijën në terapi, vendosni një mënyrë të rregullt komunikimi dhe sigurohuni që ajo të ndiqet me përpikmëri.

nje femije qe po ben terapi logopedike

5. Vlerësoni përpjekjet e fëmijës , jo vetëm rezultatet.

Kur fëmija arrin një qëllim terapeutik, mos harroni të festoni — qoftë me një fjalë të mirë apo një shpërblim të vogël.
Po ashtu, është shumë e rëndësishme të vlerësoni përpjekjet që bën çdo ditë. Kjo forcon vetëbesimin dhe motivimin e tij për të vazhduar. Një fjalë e mirë, një përqafim, një moment i veçantë pas terapisë – mund të bëjnë shumë.

6. Njoftoni për çdo ndryshim që mund të ndikojë te fëmija.

Fëmijët ndihen të ndikuar nga ambienti i tyre. Ndaj është thelbësore që të informoni terapistin për çdo ndryshim në rutinë ose situatë emocionale. Disa shembuj:

  • Jeni zhvendosur në një shtëpi të re
  • Prindi ka ndryshuar orarin apo punën
  • Familja po përjeton ndarje
  • Jeni në pritje të një bebeje
  • Fëmija fillon një medikament të ri
  • Një anëtar i familjes ka ndërruar jetë

Ky informacion mund të ndihmojë terapistin të kuptojë më mirë sjelljet e reja të fëmijës dhe të përshtasë terapinë në përputhje me rrethanat.

7. Nxitni komunikimin ndërmjet terapistëve.

Nëse fëmija juaj ndjek më shumë se një terapi (p.sh., logopedi + terapi fizikale), është thelbësore që specialistët të komunikojnë mes tyre. Kjo siguron që strategjitë të jenë të koordinuara dhe që progresi i fëmijës të mbështetet në mënyrë të vazhdueshme në çdo fushë të zhvillimit.

Terapia nuk është një rrugëtim vetëm për fëmijën – por për të gjithë familjen.
Sa më të përfshirë dhe të përgatitur të jenë prindërit, aq më i lehtë dhe më i suksesshëm bëhet ky proces për fëmijën. Me durim, bashkëpunim dhe përkushtim, rezultatet do të vijnë. Për më shumë se si një logoped mund të ndihmojë fëmijën tuaj, klikoni linkun .

Keni pyetje ose dëshironi të konsultoheni me një specialist?
Na kontaktoni në numrin tonë të telefonit +355699770441 ose në faqet tona në rrjetet sociale ‘femija dhe logopedi’.

Online