Loja dhe rëndësia e saj
Loja është mënyra se si fëmijët mësojnë për botën, veten dhe njëri-tjetrin. Është po aq e shëndetshme sa edhe ngrënia e perimeve, leximi i librave dhe gjumi i mirë i natës.
Nuk ka asnjë mënyrë të drejtë apo të gabuar për të luajtur. Ҫdo lojë duket ndryshe në varësi të ditës dhe fëmijës:
Ndonjëherë fëmijët luajnë me shokët dhe herë të tjera, vetëm.
Ndonjëherë ata mund të flasin me zë të lartë dhe herë të tjera, janë të heshtur.
Ndonjëherë loja është e çrregullt ose e rrezikshme dhe herë të tjera, e qetë dhe e relaksuar.
Fëmijët nuk kanë nevojë për lodra të bukura apo certifikata për të luajtur. Ata kanë nevojë për kohë, hapësirë dhe liri për të eksploruar idetë që u interesojnë. Pavarësisht se si duket, kur fëmijët luajnë, ata mësojnë.
Pse është e rëndësishme loja për fëmijët?
Ka gjashtë arsye pse loja, e pastrukturuar dhe e strukturuar, është e rëndësishme për zhvillimin e fëmijës.
1. Loja ndërton imagjinatën dhe kreativitetin
Gjatë lojës, fëmijët zgjerojnë imagjinatën e tyre. Ata krijojnë lojëra imagjinare dhe shfaqin zgjidhje të ndryshme duke rritur vetëbesimin e tyre. Ata bëjnë rregullat e tyre dhe mësojnë se si t’i ndjekin ose përshtatin ato rregulla sipas nevojës.
Loja simbolike është aftësia për të imagjinuar një objekt si një tjetër. Loja simbolike është një pjesë e rëndësishme e zhvillimit të shëndetshëm. Ajo ndërton aftësitë që u nevojiten fëmijëve për të mësuar në të ardhmen dhe për zgjidhjen e problemeve. Gjithashtu përmirëson kreativitetin, i cili kontribuon në suksesin e një personi gjatë gjithë jetës.
2. Loja nxit aftësitë njohëse
Çfarë do të thotë nxitja e aftësive njohëse? Kjo do të thotë që loja është thelbësore për zhvillimin e shëndetshëm të trurit.
Loja e pastrukturuar është koha kur fëmijët drejtojnë lojën e tyre. Ata nuk janë të detyruar të zbatojnë oraret ose aktivitetet e drejtuara nga të rriturit. Loja e pastrukturuar ndihmon trurin e një fëmije të zhvillohet në mënyra pozitive. Ai forcon dhe rrit lidhjet nervore në tru.
Gjithashtu, loja e pastrukturuar ndihmon në ndërtimin dhe forcimin e korteksit të trurit. Kjo ndikon në mënyrën se si fëmija mëson, zgjidh problemet dhe fiton njohuri për mjedisin e tij.
3. Loja ofron përfitime emocionale dhe të sjelljes
Kur të rriturit ndihen të mbingarkuar, ata bëjnë aktivitete që i qetësojnë: shkojnë në palestër, këndojnë shëtisin, pastrojnë etj,. Këto aktivitete janë më shumë se një shpërqendrim. Ato janë një mënyrë për të rikthyer lojën në jetën tonë dhe për të na lidhur me gjërat në jetë që na ndihmojnë.
Fëmijët janë njësoj, megjithëse kanë nevojë për shumë më tepër kohë për lojë. Loja e përditshme mund të ndihmojë në uljen e ankthit, stresit dhe nervozizmit. Gjithashtu, ndihmon në rritjen e vetëvlerësimit.
Loja është një mësues i shkëlqyer. Nëpërmjet lojës, fëmijët mësojnë se si të eksplorojnë botën në një mënyrë që ata mund ta kuptojnë dhe përpunojnë. Ata mësojnë se si të punojnë në grupe, të ndajnë, të negociojnë dhe të zgjidhin konfliktet.
4. Loja përmirëson shkrim-leximin
Duke filluar që nga lindja fëmijët ndërtojnë aftësi gjuhësore dhe shkrim-leximi përmes lojës dhe ndërveprimeve. Ata mësojnë fjalë të reja kur të rriturit përshkruajnë atë që shohin, dëgjojnë dhe bëjnë.
Nëpërmjet lojës, fëmijët mësojnë rreth komunikimit. Leximi i tregimeve në libra ndihmon ata të kuptojnë se kush janë dhe rolin e tyre brenda komunitetit. Tregimet gjithashtu u mësojnë se si funksionon e folura dhe si strukturohet ajo.
Lodrat janë gjithashtu të dobishme. Loja me lodra të vogla ndihmon në ndërtimin e muskujve të vegjël në duar. Kjo ndihmon me shkrimin. Lojëra të ndryshme që kërkojnë përqëndrim zhvillojnë aftësi për të vëzhguar dhe rritur vëmendjen. Këto aftësi zhvillojnë aftësitë e leximit duke i ndihmuar fëmijët të kuptojnë dhe zbatojnë atë që po lexojnë.
Loja rrit kuriozitetin dhe një mendje kurioze është gati për të mësuar.
5. Luajtja inkurajon pavarësi më të madhe
Fëmijët shpesh kanë pak fuqi ose fjalë për aktivitetet e tyre të përditshme. Ata kalojnë pjesën më të madhe të ditëve të tyre duke u thënë se çfarë të bëjnë, kur ta bëjnë dhe ku duhet të shkojnë. Në botën e lojës, ata kanë mundësinë të vendosin rregullat dhe të jenë ata me fuqi. Ata mund të jenë udhëheqësit dhe të rriturit mund të jenë ata që dëgjojnë dhe marrin udhëzime.
Loja e vetmuar (e pavarur) është po aq e rëndësishme sa të mësosh se si të luash me të tjerët. Ai i ndihmon fëmijët të zhvillojnë një ndjenjë më të fortë pavarësie. Fëmijët ndihen të kënaqur me lojën e vetmuar e gjithashtu ndihen më të aftë për të përballuar vetë detyra të tjera. Zhvillimi i këtyre aftësive madje kontribuon në socializimin e ardhshëm brenda një grupi.
Siç tha Albert Einstein, “monotonia dhe vetmia e një jete të qetë stimulon mendjen krijuese”.
6. Loja promovon stërvitjen fizike
Fëmijët kanë një nevojë shumë të fortë për lojën fizike, e cila është çdo lloj loje që i bën ata të lëvizin. Është pjesë e mënyrës se si ata mësojnë të përdorin trupin e tyre dhe forcon lidhjet në tru. Është gjithashtu një formë e shkëlqyer e stërvitjes, e cila promovon fëmijë të shëndetshëm.
Loja e rregullt dhe aktive ka efekte pozitive dhe të gjera shëndetësore gjatë gjithë jetës së fëmijës. Pavarësisht aftësive, interesave dhe mundësive të fëmijës, loja fizike i ndihmon fëmijët të:
- përmirësojnë reflekset;
- përmirësojnë kontrollin e lëvizjeve
- përmirësojnë aftësitë motorike;
- zhvillojnë një ekuilibër më të madh;
- ndërtojnë muskuj të fortë;
- përmirësojnë densitetin e kockave;
- rritin funksionin kardiovaskular;
- argëtohen gjatë gjithë kohës.
Koha ditore në natyrë është gjithashtu thelbësore. Ai mbështet shëndetin mendor të fëmijëve dhe një aftësi më të madhe të vetërregullimit. Pavarësisht nga moti, kaloni kohë me fëmijët në natyrë, në mënyrë që të kalojnë kohën e tyre të gjelbër. Ata do të kthehen brenda më të lumtur dhe më të relaksuar.