PAAFTËSIA INTELEKTUALE
Paaftësia intelektuale karakterizohet nga moszhvillimi në vite i aftësive për të zgjidhur probleme dhe për t’u përshtatur. Mungesa e shprehive të planifikimit, të menduarit abstrakt, gjykimit dhe arsyetimit është tipike te këta fëmijë. Nxënia në shkollë apo përmes përvojës te fëmijët me paaftësi intelektuale është shumë e limituar. Ata diagnostikohen nga mjeku specialist përmes matjeve të përftuara nga teste te posaçme.
Paaftësia intelektuale mund të jetë:
Paaftësi e lehtë mendore
Paaftësi e moderuar mendore
Paaftësi e rëndë
Paaftësi e thellë
Fëmijët me paaftësi intelektuale karakterizohen nga mangësi (deficite) në shprehitë e përshtatjes dhe funksionimit intelektual në mjediset formale dhe informale (familje, grup, shkollë, komunitet). Mangësitë vërehen në fushat e zhvillimit konjitiv, gjuhësor e social si edhe në zbatimin praktik të të shprehive në këto fusha.
Kriteret e vlerësimit të paaftësisë intelektuale përfshijnë:
a) Mangësi (deficite) në funksionimin intelektual (të verifikuara përmes testeve të besueshme) si:
i. Mungesë e shprehive të zgjidhjes së problemeve dhe arsyetimit
ii. Mungesë e shprehive të planifikimit dhe të menduarit abstrakt
iii. Mungesë e aftësisë për të nxënë në shkollë ose nga përvoja
b) Mangësi (deficite) të funksioneve përshtatëse si:
i. Mungesë e zhvillimit social e kulturor
ii. Mungesë e pavarësisë personale
iii. Pamundësi për marrje të përgjegjësive sociale
iv. Mungesë e komunikimit
v. Mungesë e pjesëmarrjes në veprimtaritë shoqërore
vi. Mungesë e shprehive të jetës së përditshme. Mangësitë (deficitet) e mësipërme intelektuale duhet të kenë filluar herët në jetë dhe duhet të kenë qenë të pranishme gjatë fazave kritike të zhvillimit. Vlerësimi i fëmijës së dyshuar për paaftësi intelektuale bëhet nga mjeku specialist. Shërbimet edukative për fëmijët me prapambetje mendore mund të jepen në shkolla dhe institute të veçanta.