RRITJA DHE ZHVILLIMI I FËMIJËVE.
Me shprehjen rritje dhe zhvillim i fëmijës, kuptojmë në përgjithësi ndryshimet në peshë e në gjatësi që nga lindja e fëmijës e deri në përfundimin e procesit të rritjes së tij, të shoqëruar detyrimisht edhe me perfeksionimin e funksionit të organeve të fëmijës në rritje.
Zhvillimi i fëmijës varet nga pesha e gjatësia që ai ka në moshë të caktuar, nga përpjestimi i drejtë mes pjesëve të ndryshme të trupit, nga madhësia e perimetrit të kokës, të gjoksit, të barkut e nga dalja e dhëmbëve. Këto të dhëna na japin mundësinë të gjykojmë mbi zhvillimin e trupit të fmëijës sipas moshës së tij.
Krahas këtyre do të shikojmë e do të vlerësojmë edhe zhvillimin nervor të fëmijës, zhvillimin e trurit, që paraqitet me aftësinë që ai ka për të njohur, për të kuptuar, për t’u lidhur me njerëzit e sendet që e rrethojnë, për të folur, për të bërë pyetje e për të shfaqur mendime.
Periudhat e jetës së fëmijës mund të klasifikohen:
– Periudha neonatale nga lindja deri 28 ditë.
– Fëmijëria e parë nga 28 ditë deri 1 vjeç.
– Fëmijëria e dytë nga 2-6 vjeç.
– Fëmijëria e tretë nga 6 vjeç deri 8-12 vjeç domethënë deri në shfaqjen e shenjave të para të pubertetit.
-Adoleshenca nga 12 vjeç deri 18 vjeç (sipas autorëve amerikanë për meshkuj deri 20 vjeç) deri në përfundimin total të rritjes staturale.
PESHA
Zhvillimi normal i peshës në jetën intrauterine flet për mundësinë e një rritje e zhvillimi normal në jetën ekstra uterine.
Pesha mesatare e një fëmije të porsalindur është rreth 3000-3300 gr.
Çdo fëmijë duhet të peshohet në mënyrë periodike të paktën një herë në muaj për 6 muajt e parë të jetës, një herë në 3 muaj për 6 muajt e ardhshëm, dy herë në vit për 3 vitet e ardhshme dhe një herë në vit nga ajo kohë e në vazhdim.
Në ditët e para të jetës fëmija i porsalindur pëson një humbje të peshës 5-10% të peshës së lindjes, ose afërsisht 150-300 gr, që konsiderohet si humbje fiziologjike e peshës. Pas kësaj periudhe fëmija shton në peshë rregullisht.
Shtesa në peshë gjatë gjithë muajit të parë është rreth 600 gram.
Nga muaji 1-2 foshnja shton 800-900 gram.
Pas muajit të dytë shtesat mujore pakësohen lehtësisht.
Kështu nga muaji 5/6 shton rreth 500 gram në muaj, kurse nga muaji i 10-të dhe i 12-të shton rreth 300 gram në muaj.
Në përgjithësi pesha e lindjes dyfishohet rreth muajit të 5-të ose 6-të dhe trefishohet në fund të vitit të parë.
Një humbje akute e peshës tregon për praninë e një sëmundjeje akute, dehidratim ose kequshqyerje, ndërsa një humbje kronike e peshës sugjeron praninë e një sëmundjeje kronike.
Një rritje e menjëhershme e peshës mund të tregojë një hiperhidratim ose shfaqje të një edeme, por përgjithësisht tregon një mbiushqyerje.
GJATËSIA
Gjatësia normale e një fëmije të porsalindur është rreth 50 cm, arrin në 70-75 cm në moshën 1 vjeçare, dyfishohet rreth moshës 4 vjeçare dhe trefishohet në moshën 12-13 vjeç. Tek latantët, këto matje kryhen duke e mbajtur fëmijën në pozicion të shtrirë me shpinë.
Normat e shkallës së rritjes vijojnë si më poshtë:
2-3 vjeç= 7-8 cm në vit
4-6 vjeç= 7 cm në vit
6-8 vjeç= 6 cm në vit
8-10 vjeç= 5 cm në vit